filmov
tv
Delvinë, në vendburimin e gazit. Tregtimi nis në 2025 - Vizion Plus

Показать описание
Delvina është një nga vendburimet e gazit të zbuluar në fund të viteve ‘80. Prej rreth 5 vitesh “Delvina Gaz Kompani” po investon për të rigjallëruar këtë vendburim, i cili nuk prodhon më prej 12 vitesh.
Puna është fokusuar në 3 puse që janë aktive, ndërsa kompania ka si objektiv, që në total të shtrijë kërkimet në 15 puse në vitet në vazhdim.
Ky është një nga puset aktive që njihet me numrin 12. Gazi nga këtu kalon në impiantin e pastrimit.
Zamir Bega është një ekspert i vjetër i kësaj industrie. Ka qenë ndër inxhinierët e parë, që kur u bë zbulimi i këtij vendburimi. Sot pas afro 40 vitesh ai jep kontributin e tij, pranë kompanisë “Delvina Gaz”.
“Pas meje kemi një impiant pastrimi që është në punë, është certifikuar dhe pastron gazin në parametrat që e kërkon industria europiane e gazit. Në vendburim prej vitit 2019 janë investuar rreth 85 mln dollar amerikanë nga të gjithë operatorët e mëparshëm dhe është shpuar një pus i ri në Delvina 12 dhe gazi që po përpunohet tani pas meje vjen nga ky pus”, thotë Bega.
Në planet afatshkurtra drejtuesit e kompanisë thonë se do të kërkohen edhe 25 milion dollarë të tjerë investime.
“Me këto puse ne do të garantojmë prodhim gazi deri në 300 mijë metër kub gazi në ditë, kryesisht për tregun e brendshëm, por edhe për tregun e jashtëm. Veriu i Greqisë ka kërkesa shumë. Në plane afatshkurta ne do të rishpojmë edhe një pus të lënë përgjysmë nga operatorët e mëparshëm, që do të na çojë në dyfishim të kapaciteteve. Kjo fazë do të kërkojë rreth 25 mln dollarë amerikanë dhe do ta sjellim Delvinën në një fazë shumë me interes për investitorët, për shtetin dhe për komunitetin”, sqaron Zamir Bega, inxhinier i kompanisë.
Në vendburimin e Delvinës ekzistojnë disa puse të shpuar më parë nga Albpetrilo, që ose kanë prodhuar disa sasi të vogla gazi ose nuk kanë prodhuar fare. Punimet që po bën kompania në këtë fazë kanë objektiv që këto puse të futen në prodhim me ritme të tilla që të justifikohet investimi.
“Aktualisht, kemi përfunduar ndërhyrjen në pusin Delvina 12, ku kemi bërë një investim që ka dhënë një rezultat spektakolar. Pas ndërhyrjes, prodhimi i gazit nga pusi është rritur 8-10 herë më shumë, kjo falë teknologjisë. Ndërhyrja në këtë pus konsiderohet një arritje teknologjike për industrinë, sepse është ndërhyrë në një pus që është shpuar 35 vite më parë dhe diametrat nuk të lejojnë hapësirë për të përdorur pajisje që mund të jenë komode në operim. Jemi detyruar të përdorim teknologji nga më të avancuarat, që në Shqipëri janë përdorur për herë të parë”, tha Fatbardh Ademi, drejtor teknik.
“Delvina Gaz Kompani” numëron 100 punonjës. Si çdo industri edhe këtu mungesa e fuqisë punëtore, por edhe e stafit të kualifikuar është evidente. Stafi më i specializuar janë inxhinierët që vijnë nga Tirana dhe Fieri.
“Ky si vendburim është shumë kompleks, është vendburim gazi. Specialistët duhet të jenë të specializuar jo vetëm për naftë, por edhe për gazin, që kërkon specializim të mëtejshëm. Jemi detyruar të përdorim stafin e vjetër që ka qenë dikur, por po marrim nga jashtë edhe shumë inxhinierë, shumë nga Amerika. Falë ndërveprimit të inxhinierëve që janë shumë të kualifikuar, shqiptarë, në ndërveprim me inxhinierët amerikanë, ne kemi krijuar një staf shumë eficent për të dhënë një zgjidhje teknike dhe ekonomike zhvillimit të këtij vendburimi. E ardhmja e këtij vendburimi është zhvillimi me njerëzit tanë, për shkak të kostove. Të të vijë një inxhinier nga jashtë, ti do ta paguash shumëfish dhe krahasuar me pagat, prapë kur ai vjen nga jashtë, ka shpenzime më tepër. Por nuk mund të investosh tek ai, sepse ai një ditë do të kthehet në familjen e tij. Do të ishte shumë mirë të kishim njerëz nga Delvina”, thotë drejtori përgjithshëm i kompanisë Erald Bakiu.
Planet e kompanisë janë ambicioze. “Delvina Gaz Kompani” parashikohet që në vitet e ardhshme të jetë kompania e parë që do të tregtoje gaz natyrorë të një cilësie europianë në tregun e brendshëm dhe atë të huaj.
Комментарии