Kina mban ditë zie kombëtare për viktimat e COVID-19

preview_player
Показать описание
Kina mbajti zi kombëtare këtë të shtunë, më 4 prill, për “dëshmorët” që vdiqën gjatë përhapjes së coronavirusit.

Flamuri kombëtar u mbajt në gjysmë shtize në të gjithë vendin si dhe u ndaluan të gjitha format e argëtimit.

Dita e zisë kombëtare përkon edhe me fillimin e festivalit të pastrimit të varreve, “Kingming”.

Tradita kërkon gjatë këtij festivali që kinezët të respektojnë paraardhësit e tyre të vdekur dhe të shkojnë t’u pastrojnë varret.

Në orën 10 të mëngjesit, makinat, trenat dhe anijet në të gjithë Pekinin nisën t’u bien borive në shenjë respekti për të vdekurit.

Njerëzit në të gjithë vendin ndaluan çdo gjë që po bënin dhe mbajtën tre minuta heshtje në nderim të të ndjerëve.

Coronavirusi e pati origjinën në Vuhan, qytetin më të madh të rajonit Hubei, që në dhjetor të vitit 2019.

Sytë e gjithë botës u kthyen nga Kina teksa ekonomia më e madhe në Azi kufizonte lëvizjet e popullsisë dhe maste temperaturën e udhëtarëve nëpër trena.

Edhe pse të vdekurit sa vinin e shtoheshin çdo ditë, për perëndimin dhe vendet e tjera mbetej ende një lajm që ndodhte larg, në një vend tjetër.

Sot, më 4 prill, 2020, më shumë se gjysma e njerëzimit në planetin tokë ka aplikuar forma të ndryshme karantine dhe kufizimi lëvizjesh, pasi coronavirusi COVID-19 ka hyrë në çdo shtet të botës.

Në të gjithë botën numërohen 62.376 të vdekur dhe 1.159.515 të infektuar. Vetëm në SHBA, numri i të infektuarve ka arritur gati 300 mijë, dhe të vdekurit për 24 orët e fundit kanë qenë mbi 1100.

Italia mbetet vendi me vdekshmërinë më të lartë, 15.362 të vdekur dhe 124.632 të infektuar, ndërsa Spanja renditet e dyta me 11.744 të vdekur dhe 124.736 të infektuar.
Рекомендации по теме